Në shenjtëroren e natyrës
Suadela Balliu
Theth! Aty ku natyra është në gjendjen e saj primordiale. Ku mes ashpërsisë së thepave e thellësisë së luginave ruhet sekreti i krijuesit dhe krijimit. Aty ku njeriu bëhet sërish i vockël dhe zotër janë malet. Banorët mikpritës të bujtinave prej guri, mrekullitë e gjalla të gdhendura nga dashuria mes ujit dhe shkëmbinjve dhe aventura që duhen përjetuar të paktën një herë në jetë. Zbuloni tokën e bekuar të Bjeshkëve të Namuna
Në kulturën hindu thuhej se perënditë dhe perëndeshat strehoheshin maleve për të medituar, për t’u mbyllur në vete, për të marrë fuqi të reja shpirtërore, çlirim apo për t’u vetësakrifikuar.
Malet ishin zona paqësorë dhe të denja për aktivitete hyjnore, ku nuk mbërrinin shqetësimet tokësore. Prandaj njerëzit e lashtë i ndërtonin tempujt dhe manastiret për nderimin e zotave ngriheshin mbi kreshtat më të larta më të thepisura të maleve, mes bukurive përrallore të natyrës…Nuk mund t’i shpëtosh tundimit pa e veshur me pak misticizëm përtej bote edhe rrugëtimin drejt Thethit, fshatit malor të alpeve, i cili për nga vështirësia mund t’i ngjajë fare mirë një pelegrinazhi drejt një vendi të shenjtë. Pasi ke lënë pas Shkodrën, Koplikun, je ndarë edhe me bigëzimin e rrugës që të shpie drejt Bajzës e kupton se vetëm më ngulmuesit mund të mbërrijnë në destinacion. Asfalti ia lë vendin gurëve që zhurmojnë nën rrota fuoristrade ( Për ata që rrëmbehen nga entuziazmi dhe harrojnë të pyesin për gjendjen e rrugës, të paktën duhet të dinë se udhëtimi me makinë fuoristradë nuk mund të jetë opsional. Është e vetmja mënyrë për të mbërritur në Theth), ndërsa zhurmat e jetës urbane zëvendësohen me zukatje gjinkallash dhe aromë pishash. Koha ka nisur që tani të rrjedhë më ngadalë. Ritmi frenetik duket se i përket një bote tjetër, e cila e pafuqishme për t’i shtrirë tentakulat deri këtu, ka hequr dorë nga pushtimi.
Por sprova e vërtetë nis me ngjitjen e maleve.
Pak e përmendin rrugën e keqe , ku shpejtësia e automjeteve nuk i kalon 20km/h në një shteg të ngushtë ku shkëmbimi i automjeteve nga drejtime të kundërta kthehet në sport të rrezikshëm.
Pasi u ishe ngjitur thuajse në majë e me një të zgjatur dore dukej sikur prekje kurorën e kreshtave të thepisur të alpeve, do të duhej që përmes të njëjtit shteg malor të zbrisje deri në luginën e thellë të gardhuar nga malet. Tabela e drunjtë që shkruante me gërma të gdhendura “Theth” nuk do të thoshte që kishe sosur, vetëm sa kishe hyrë në atë që dukej si tempulli i natyrës, që ruan një të vërtetë primordiale me fanatizëm brenda saj. Banorët miqësorë që të shfaqen në hyrje të fshatit të thonë se duhet ndonja gjysmë orë a dyzet minuta për të mbërritur në qendrën e fshatit, ku makina fuoristradë i hyn mes përmes shtratit të tharë të lumit me gurë të bardhë zalli, si e vetmja rrugë.
Qendra e komunës është pranë Kishës, si për të diktuar se feja ka sjellë kudo qytetërimin. Kullat prej guri ( ndoshta të latuar nga ndonjë copëz mali ) në pasditen e përhimë pas shiut bëhen edhe më mistike.
Mbërrijmë në shtëpinë ku edhe do buajtim. Kulla e Poliajve, është një nga ato shtëpi fshati që pret e përcjell turistë nga e gjithë bota, me kureshtjen e madhe për të zbuluar Thethin.
Temperaturat e freskëta në orët e vona të pasdites janë të kuptueshme, duke pasur parasysh se je afro 1000 metra mbi nivelin e detit.
Të zotët e shtëpisë të presin me një qëndrim mes traditës mikpritëse dhe kulturës së shërbimit. Për të thyer urinë ka bukë të freskët të sapodalë nga shporeti i druve- siç thotë e zonja e bujtinës Vlora, një grua pejane e cila ka ardhur nuse në Theth – djathë bjeshkësh dhe zarzavate të kopshtit. Darka, që mesa u kuptua ishte edhe vakti kryesor i turistëve që kthehen të tulatur pasi kanë eksploruar mrekullitë natyrore që të shpalos zona, vijnë me uri të madhe. “Mish edhi dhe mish thiu i pjekur”- thonë ata për të mbajtur gjallë kuzhinën tradicionale të zonës.
Pyetja e parë për vendasit është dekriptimi i emrit. Ç’do të thotë Theth?!
Nardi, një djalë që jeton jashtë Shqipërisë, por që kthehet verës për të ndihmuar të vëllain me biznesin turistik rrëfen se gojëdhënat thonë se vjen nga fjala “thep”, që dukej se merrte plotësisht kuptim pasi kudo që shëtisje sytë në atë luginë shihje maja të thepisura malesh që të rrethonin në të katër kahet e horizontit. Lugina prej 2630 hektarësh e shpallur edhe Park Kombëtar mbrohet nga thepat e maleve Radohimë, Shenik e Papluku, me lartësi mbi 2500 m mbi nivelin e detit. “Dikur kultivohej edhe thekër”- vijon ai- “ e kështu këto dy fjalë i dhanë emrin Theth”. Interpretime të tjera e lidhin me thellësinë e luginës..
Misioni i turistëve është të vizitojnë çdo pikë atraksioni natyror që Thethi ofron.
Më e afërta është Kulla e Ngujimit, e ndërtuar mbi një gur masiv- që siç shpjegon edhe pinjolli i fundit i familjes Koçeku, që për shekuj janë njohur në atë zonë si pajtimtarë gjaqesh- bëhej për t’u mbrojtur nga tërmetet.
Ngjitemi me shkallët e drunjta, ndërsa Sokoli, i cili e ka shpallur monument kulture ( me iniciativën e tij dhe u kërkon vizitorëve 100 lekë për shqiptarët dhe 1 euro për të huajt).
Ulemi këmbëkryq dhe dëgjojmë rrëfenjat sesi meshkujt mbi moshën 14 vjeç, që ishin në gjak vinin e ngujoheshin te kjo kullë për 15 ditë e paguanin ushqimin dhe fjetjen, ndërsa i zoti i kullës mblidhte pleqësinë, dy palët binin në bisedime nëse gjaku do të falej. “Ky djep mbante brenda fëmijën mashkull, më të riun e fisit dhe plaku i familjes që kishte kryer vrasjen e kthente përmbys. Nëse plaku i familjes së gjaksit do e kthente, do të thoshte se gjaku ishte falur, në të kundërt ai fëmijë vdiste”- tregon Sokoli, ndërsa shton se ka plot 110 vjet që kjo kullë nuk e kryen më funksionin e saj. “Qysh se nisën të kërkoheshin para për ndërmjetësim, kjo nuk ka funksionuar, Sepse Kanuni nuk e lejon këtë”- saktëson ai, ndërsa ka marrë një gjethe frashëri dhe e vë mes buzëve duke krijuar melodi rapsodike., që përzihet ëmbël me gurgullimën e lumit të Shalës, fare pranë kullës.
Duket si udhëtim në kohë. Jemi në mes të zonës së Dukagjinit , në tokën e banorëve që i rregullonin marrëdhëniet me Kanun, fotografitë në mure të brezave të familjes Koçeku, që kanë shërbyer si pajtimtarë, sofra, lëkura e deleve, eshka për të ndezur zjarrin apo makina për të grirë duhanin, frëngjitë e vogla ku mund të dilte vetëm tyta e pushkës apo ato ku mund të shihje një copëz botë mbuluar me kapakë të drunjtë.
Pasi ka rënë nata, malet ngjajnë si gjigantë të fjetur e marrin hije edhe më të rëndë, ndërsa në mëngjesin e herët, ku dielli duket sikur sapo ka lindur pas atyre majave, përzierjet e së gjelbrës në të gjitha nuancat e saj ofrojnë spektakël për syrin.
Aty e kupton se je duke shkelur në shenjtëroren e natyrës, aty ku ajo të tregon në çdo gur sesa i vockël dhe pa domethënës është njeriu. Aty kreshtat e maleve të tregojnë se janë të vetmit zotër mbi atë tokë e sundimi i natyrës nga njeriu është veçse një iluzion. E vetmja gjurmë e dorës moderne duket se është elektrifikimi, automjetet, aparatet celularë dhe interneti, të cilët kanë mbërritur deri aty.
Ajo që të lë gojëhapur është sensi i kohës që duket se matet me tjetër kut në ato vise. Për çdo destinacion miminimi i kohës që të duhej për të mbërritur ishte një orë. Pastaj shkonte në dy, tri e deri në pesë orë nëse do doje të shihje malin e Jezercës e t’i shkoje në majë Bjeshkëve të Namuna. Edhe udhëtimi ishte në gjendjen e tij natyrale në këto vende; më këmbë.
Ndalesa e radhës janë vaskat e ujit në zonën e Ndërlysës. Pavlini, mikpritësi ynë na ndihmon me një hartë në një broshurë mbi Thethin dhe zonën e Kelmendit; 20 minuta me makinë në rrugë malore, krejtësisht të pashtruar. Ata që të vijnë vërtet në ndihmë kur vjen puna për orientimin janë vendasit. Një burrë i moshuar, i cili kullot bagëtinë e imët në një livadh të vogël mes malesh, ku dielli bie pingul, është tejet miqësor sa është gati ta lërë bagëtinë për të na treguar vendin. Ajo që na pret, me të mbërritur, është një tablo mbresëlënëse. Aktiviteti kushedi sa mijëvjeçar i ujit kishte gërryer malet duke formuar pishina natyrore.
Të dukej vetja sikur ishe në një tjetër planet, (nëse do kishim qenë), sepse nuk ngjante me asgjë tokësore. Nuk mund të shpëtoje pa u kredhur në ato ujëra transparentë, megjithëse të ftohta e me gurët e rrëshqitshëm nën këmbë… Nën to, uji kishte formuar një kanion e pas atij që quhej “Pusi i zi” –siç na tha njëri prej banorëve -lumi rridhte në shtratin e tij deri poshtë…
Turistët e shfrytëzojnë këtë mrekulli- të cilën asnjë arkitekt nuk do të mundej ta përsëriste me të njëjtën magji- për të bërë plazh.
Pasi ishe larë në këto ujëra dhe e kishe thekur lëkurën në diell, stacioni i radhës ishte Syri i kaltër. Për ta gjetur duhet të ndiqje atë që në hartë quhej “Shtegu i dhive”, ngushtësia dhe ashpërsia e të cilit e meritonte plotësisht emrin.
Një orë ecje ritmike më këmbë, ndërsa dielli i ditës nuk bëhej aspak aleat, duke iu ngjitur malit, të dukej vetja Sizif, ( e destinuar për t’iu ngjitur e për t’iu ngjitur përjetësisht më këmbë. Asnjë makinë nuk mund të kalojë në ato shtigje)
Banorët me të cilët shkëmbehemi rrugës përshëndesin në gjuhën angleze. Duket se prania e të huajve është shumë më normale se ajo e shqiptarëve që shkojnë për ta vizituar. Ndoshta me të drejtë. Alpet kanë qenë gjithmonë aty, por të paktë kanë qenë ata turistë, të paktën shqiptarë që kanë dashur ta kërkojnë, ta eksplorojnë e ta bëjnë të tyren një aventurë këtyre viseve. Të paktë janë ata të krisur apo kurajozë shqiptarë që do i ngjiteshin të 70 kilometrave nga Shkodra në Theth me këmbë apo biçikletë, që do të merrnin varkën për të lundruar kanionit apo që do të bënin hiking edhe në dimër…Syri i kaltër, i fshehur mes pemëve dhe gëmushave të ofron një pamje mbresëlënëse. I ngjashëm me homonimin e tij në Sarandë, uji i ftohtë i lumit të Zi në Kaprre i ka dhënë këtij vendi të gjithë laryshinë mes së gjelbrës, blusë e transparentes. Vetëm më të guximshmit apo ata që e duronin të ftohtin tentonin të kridheshin.
Kthimi do të ishte po aq i vështirë sa ngjitja, vetëm se në të rrëpirë koha dukej se fluturonte më shpejt. Më pak se një orë dhe na duhet të kalojmë lumin për t’u rikthyer në qendrën e banuar.
Ata më të vjetrit, e kujtojnë me nostalgji sesi e bënin këtë rrugë të shtegut të dhive shpesh, për të dalë nga ana tjetër e malit ku e dhe veronin dhe ruanin bagëtitë në stan. Dimrit, ktheheshin në shtëpitë e tyre të gurta në fshat. “Dikur ishte më i bukur. Ne mbillnim çdo gjë këtu, ka qenë edhe më i banuar”- tregon Leza, një grua e moshuar e cila gjatë dimrit jeton në Shkodër.
Janë të shumtë ata banorë të vjetër të Thethit që dimërojnë në Shkodër dhe vijnë atëherë kur nisin edhe vizitat e para të turistëve, që zgjasin – nëse koha mban mirë- deri nga tetori ndoshta.
Tani janë vetëm 11 familje ato që kanë vendosur të mos e braktisin, edhe kur dimri bëhet i egër. Banorët rrëfejnë se bora në muajt më të ftohtë arrin deri në 2 metra dhe shumë nga ata, sidomos gratë dhe fëmijët mbyllen në shtëpi. Është natyra që thotë fjalën e fundit dhe vendos rregullat. Ata që e sfidojnë janë të paktë. Është Paulin Polia, i zoti i kullës ku bujtëm i cili ka pasion ngjitjen në mal dhe alpinizmin dhe shoqëron ata të huaj që ndajnë të njëjtin pasion me të e që duan ta sfidojnë natyrën.
Në rrugën e kthimit nuk mund t’i rezistosh tundimit pa kundruar nga afër ujëvarën e Grunasit. Një tjetër mal të sfidon. Pasi kapërcen mbi një urë të vogël druri mbi Kanionin e Grunasit gjendesh përballë një kioske të vogël prej kashte brenda një rrethimi të gurtë. Elizabeta, një vajzë e vogël 12-vjeçare, e cila punon aty me të vëllain në muajt e verës, na bën udhë. Rruga është edhe më e vështirë se shtegu i dhive.Të duhet të kacavirresh e të kapërcesh gurë e rryma të vogla uji ndërsa vajza e vogël e mësuar me këtë ngitje tri apo katër herë në ditë, teksa shoqëron grupet e turistëve, është e para që mbërrin te Ujëvara. Uji krijon ylbere të vogla kur derdhet fuqishëm mbi një shkëmb të mbuluar nga myshqet. Elizabeta thotë se ujëvara “ushqehet” me ujërat e borës që shkrin verës, e që së shpejti do të ngrijë sërish e natyra do ta ruajë edhe me më shumë fanatizëm këtë luginë të thellë mes malesh që ruan gjendjen primordiale të krijimit.
© Copyright 2018 | Explorer Travel Tours