Shqipëria, ende e paprekur, paraqitet si për turistin e huaj, ashtu edhe per vendasit si një muze shumë tërheqës në qiell të hapur.
Ndërsa për të huajt Shqipëria është diçka autentike, për shqiptarët është një “duhet eksploruar”.
Në zemër të Mesdheut, e lagur nga deti Adriatik dhe ai Jon, Shqipëria po kthehet shumë shpejt në një nga destinacionet më interesante të Kontinentit të Vjetër Europë.
Meqënëse nuk është prekur ende tërësisht nga globalizmi, turistët gjejnë në Shqipëri një përzierje kulturash të ndryshme që e bën unik këtë vend.
Por mbi të gjitha trashëgimia natyrore është një vlerë absolute. Është e mundur të dallosh turizmin e stinës së verës ku kryesisht përfaqësohet nga plazhi, ai dimëror ku vizitohen malet, viziztat tek parqet natyrore dhe gjithë kjo lidhet me aktivitetet sportive që mund të praktikohen në çdo sezon turistik.
Zonat e mbrojtura natyrore dhe turistike në vendin tonë, të cilat numërohen 384 të tilla, janë konsideruar si pjesë tokësore dhe ujore të mbrojtura për shkak të shumëllojshmërisë biologjike të pasurive natyrore dhe kulturore që ofrojnë. Kë Ato ndahen në 6 kategori sipas rëndësisë: 4 zona rreptësisht të mbrojtura ku përfshihen Laguna e Karavastasë (Lushnjë), Lumi i Gashit (Tropojë), Rrajca (Librazhd) dhe Kardhiq (Gjirokastër), 11 parqe kombëtare; 300 monumente natyrore; 26 zona të menaxhuara, 4 peisazhe të mbrojtura tokësore ose detare, si dhe 4 zona të mbrojtura resursesh. Zonat e mbrojtura zënë një sipërfaqe të përgjithshme 109 050 ha, 10,5 % të fondit pyjor dhe 3,8 % të sip së përgjithshme të vendit. Fillimet e zonave të mbrojtura kanë nisur që në vitin 1940 me shpalljen ose krijimin e rezervatit të parë shtetëror të gjuetisë Kune-Vain-Tale në Lezhë dhe në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorrit në Berat.
Parku Kombëtar “Dajti”
Ky park ndodhet në lindje të kryeqytetit të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 3300 ha. Parku Kombëtar i Dajtit ndodhet në pjesën lindore të fushës se gjerë të Tiranës 26 km në lindje të Tiranës dhe 50 km larg nga aeroporti “Nënë Tereza”. Karakteristikë e këtij parku është shtrirja e bimësisë me kate . Ky park është një zonë shumë e frekuentuar nga pushuesit ditor. Ai konsiderohet “Ballkoni natyror i Tiranës”. Dajti ofron mundësi akomodimi për pushuesit . Aty mund te shkohet me teleferik , udhëtim i cili ofron një eksperience të veçantë.
Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës”
Ka një sipërfaqje prej 8000 ha dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve Shqiptare. Ndodhet 25-30 km në veri-perëndim të qytetit të Bajram Currit. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte dhe të papritura.
Lugina e Valbonës është një nga mrekullitë e papërsëritshme të natyrës alpine shqiptare. Kjo luginë ndodhet në pjesën më veriore të vendit në lindje të masivit malor të Alpeve që përfshihet nga rrethi i Tropojës. Lugina e Valbonës nis nga Qafa e Valbonës në perëndim dhe përfundon në luginën e Drinit në jugperëndim, shumë pranë digës së hidrocentralit të Fierzës. Gjatësia e saj nga Qafa e Valbonës deri në lumin Drin është 50.6 kilometra. Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare . Fshati Valbonë shtrihet në lartësinë 820 m mbi nivelin e detit.
Parku Kombëtar “Theth”
Ky park ka një siperfaqje prej 2630 ha dhe ndodhet në Alpet e Shqipërisë, pranë Bjeshkëve të Nëmura. Parku Kombëtar “Theth” ndodhet në një distancë 70 km larg qytetit të Shkodrës dhe përshkohet nga lumi i Thethit, me një prurje prej rreth 1000-1300 l/sek dhe është i pasur me troftën e malit. Një pikë mjaft piktoreske dhe mahnitëse është Ujëvara e Grunasit. Për tu vlerësuar është prania e drurit relikt të lisit. Ky përfaqëson zonën më të populluar të vendit me rrëqebull ( linx linx ) i cili konsiderohet specie e rrezikuar.
Parku Kombëtar “Lura”
Ka një sipërfaqe prej 1280 ha dhe shtrihet në faqjen lindore të Masivit “Kurora e Lurës”. Mjaft piktoreske këtu janë 14 liqenet akullnajore të Lurës. Në dimër sipërfaqet e tyre ngrijnë. Ndërsa në pjesën jugore të parkut ndodhet “Fusha e Pelave” që ofron pamje shumë shlodhëse, pasi ka bimësi të larmishme me lule shumëngjyrëshe të rrethuara nga drurë shekullorë halorë. Në këtë park ka mundësi të mëdha për zhvillimin e ekoturizmit.
Parku “Mali i Tomorrit”
Ka një sipërfaqje 4000 ha dhe ndodhet në lindje të qytetit muze të Beratit. Në të ndodhet Mali i Tomorrit, që nga larg të jep përshtypjen e një kështjelle natyrore gjigante. Bukuritë natyrore të parkut janë evidente në çdo stinë.
Parku Kombëtar “Pishat e Divjakës”
Ka një sipërfaqe prej 1250 ha dhe ndodhet 5 km larg qytetit të Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjes. Ky park është njëkohësisht edhe pjesë e kompleksit Laguna e Karavastasë. Ndodhet nën mbrojtjen e Konventës Ndërkombëtare të Ramsarit, që nga viti 1994. Ky park përbën një nga ekosistemet më të rëndësishme të gjithë vendit. Kjo sidomos për faunën e pasur ku përfaqësuesi më tipik është pelikani kaçurrel, i cili zë rreth 6.4% të popullatës botërore. Ketu ndodhet pika perëndimore e folezimit të këtij shpendi në Europë.
Parku “Llogarasë”
Gjendet afro 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapsinor midis detit Adriatik dhe Jon. Afër Qafës së Llogorasë takohen drurë me forma kurorash mjaft interesante në të cilat ndihet ndikimi i korenteve.
Parku “Bredhi i Hotoves”
Bredhi i Hotovës është park kombëtar, ndodhet në jug të Shqipërisë pak kilometra nga qyteti i Përmetit, dhe mund të cilësohet si mushëkria natyrore e Shqipërisë Jugore. Me një shtrirje prej 1200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga Bredhi Maqedonas, ky park kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza të këndëshme në çdo stinë të vitit, si në dimër, ku ai është i mbuluar nga dëbora por dhe në verë ku mund të shijosh freskinë e tij.
Prej disa vitesh ai është kthyer në një vend që vizitohet shpesh nga turistët. Ai ndodhet në zonën e Frashërit, rreth 35 kilometra nga qyteti i Përmetit, në verilindje të tij.
Aty përveç bredhit gjen disa lloje panjash, shkozë e zezë, ilqe, dëllinjë e kuqe dhe e zezë, mjedër etj. Në lartësinë 800-1000 metra takohen livadhe e vende të sheshta të rrethuar nga drurë shekullorë të përmasave të mëdha. Parku formon një kurorë të gjelbërt gjigande me kontraste të dukshme nga njëra-tjetra. Bota shtazore është e pasur. Nga gjitarët takohen ariu i murrmë, ujku, dhelpra, kunadhja, derri i egër, lepuri i egër, ketri etj. Por krenaria e këtij parku dhe përfaqësuesi tipik i tij është kaprolli, të cilin mund ta shohësh në livadhe dhe lëndina në thellësi të pyllit.
Parku “Qafë Shtama”
Ka një sipërfaqe prej 2000 ha dhe ndodhet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës. Në përgjithësi pamja e këtij parku është rrethor dhe mjaft piktoresk. Në këtë park mjaft tërheqës përmendet çezma e “Nënës Mbretëreshë” me ujë shumë të pastër, të ftohtë e kurativ. Është një zonë mjaft e frekuentuar për vlerat e larta kurative dhe ato të peisazhit që ajo ofron.
Parku Kombëtar “Zall Gjoçaj”
Ka një sipërfaqje prej 140 ha dhe ndodhet afro 40 km në verilindje të qytetit të Burrelit. Në përgjithësi pamja e këtij parku është mjaft piktoreske. Bukurinë ia shton edhe prania e disa burimeve dhe e rrjetit të përroskave.
Parku Kombetar “Prespa”
Ka një sipërfaqe prej 27500 ha, duke përbërë në këtë mënyrë edhe Parkun Kombëtar më të madh të Shqipërisë. Ndodhet në kryqëzimin e kufijve të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Përbëhet nga liqeni i Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël si dhe pellgu ujëmbledhës i tyre. Kjo zonë është mjaft e pasur me vlera kulturore. Këtu mund të përmendim kishat eremitë të Bizantit, Shpellën e Trenit në liqenin e Prespës së Vogël, kalaja e Trojanit, kisha e Shën Mërisë ndërtuar në ishullin e Maligradit në shek e 14-të. Liqeni i Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël janë përfshirë në Parkun Ballkanik të Prespës, me një marrëveshje të kryeministrave të të dy vendeve.
Parku Kombëtar “Butrinti”
Ky park përfshin një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij Parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra.
Laguna e Karavastas
Laguna e Karavastasë ka një sipërfaqe prej 4.330 hektarë duke përbërë në këtë mënyrë lagunën më të madhe të gjithë bregdetit shqiptar. Ajo është një prej 12 Parqeve Kombëtare që ka Shqipëria dhe për nga vlerat e bio diversitetit ka një rëndësi të veçantë. Laguna e Karavastasë është pika me perëndimore në Europë ku folezon peliakani kaçurrel (pelicanus crispus). Këtu gjendet 5 % e popullimit të tij botëror. Laguna e Karavastasë ndodhet nën ruajtjen ndërkombëtare të Konventës së Ramsarit. Është një eksperiencë mjaft interesante observimi i këtyre pelikanëve nëse afroheni me varkë pranë një ishulli në lagunë ku ata ulen zakonisht. Në këtë ekosistem gjenden 210 lloje shpendësh, 12 lloje gjitarësh dhe 16 lloje reptilesh. Ujërat e lagunës të cilat arrijnë thellësi maksimale 1.5 metra janë të pasur me peshq, ku zëniet kryesore janë qefulli dhe ngjala të cilët ofrohen në restorantet e shumtë të plazhit të Divjakës. Bimësia e Parkut Kombëtar të Divjakës shquhet për bukurinë dhe freskinë e veçantë. Këtu mbizotërojnë sipërfaqet me halorë, me pishë të butë dhe të egër. Bien në sy pishat me kurorë të gjerë në formë ombrellë. Pylli është me kate duke filluar që nga bimët barishtore e deri tek drurët e lartë. Bien në sy shoqërimet me frashër, bredh, etj. Plazhi i Divjakës ka rërë me përmbajtje të konsiderueshme jodi dhe temperaturat mbi 20 gradë C fillojnë që nga gjysma e dytë e majit dhe vazhdojnë deri në prag të tetorit. Kjo është një zonë ku kombinohen aktivitetet e plazhit me eko – turizmin. Grykëderdhja e lumit Vjosë që ndodhet më në jug përbën një zonë të mbrojtur natyrore në të dyja anët e lumit që quhet zona e Pishë Poros Fier dhe Vlorë. Kjo është një zonë natyrore me pisha bregdetare, plazhe ranore të veçuar si dhe vend i volitshëm folezimi për shpendët ujorë.
Lugina e lumit të Gashit
Kjo zonë ndodhet në rrethin e Tropojës dhe përfshin zonën e skajit më verilindor të Shqipërisë, në pikën më të lartë të kufirit midis Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Lugina e lumit të Gashit, i cili derdhet në Valbonë, fillon nga zona akullnajore e Dobërdolit. Gjatë rrjedhjes së saj kjo luginë shquhet për bukurinë natyrore, mbasi ajo kalon një sërë ngushtimesh e zgjerimesh duke krijuar trajta mjaft tërheqëse. Në njërin prej segmenteve të saj, lugina ngushtohet aq shumë, sa merr formën e një kanioni të ngushtë. Shpatet e luginës janë të veshura me pyje dushku, ahu dhe sidomos me halorë. Kjo zonë është strehë edhe për kafshë të egra si ariu i murrmë, dhia e egër, ujku, ketri, shqiponja e malit etj. Zona e luginës së lumit të Gashit shquhet për reshjet e dendura të dëborës. Një ndër atraksionet më të bukura të kësaj zone janë edhe prezenca e kompleksit të liqeneve akullnajore të Dobërdol – Sylbicës, ku gjenden 8 liqene të tilla.
Parku Kombëtar “Zall Gjocaj”
Parku Kombëtar “Zall Gjocaj” është një tjetër park i mrekullueshëm, 40 km në verilindje të qytetit të Burrelit. Ai është mjaft i bukur dhe i pasur me burime dhe disa përrenj.
Biza
Pika malore e Bizës, gjendet në rrethin e Tiranës, në komunën e Shën Gjergjit. Largësia nga kryeqyteti është 85 km. Për të shkuar atje ndiqet itinerari Tiranë-Linzë-Qafë Priskë-Qafë Mollë-Bizë. Ajo është një fushë karstike e ndodhur në skajin juglindor të malit me Gropa. Fusha e Bizës shtihet në lartësinë 1.200 metra mbi nivelin e detit. Ajo është 4 km e gjatë dhe 2 km e gjerë. Ky është një vend mjaft i këndshëm dhe me ajër të pastër. Fusha rrethohet nga shpate mali të thepisura sidomos nga krahu juglindor dhe veri perëndimor. Në perëndim fusha ka forma të zhvillimit të fenomeneve karstike. Fusha e Bizës përshkohet nga lumi me të njëjtin emër, i cili më pas zhduket brenda një shpelle karstike pranë fshatit Val.
Zona e Bizës është e pasur me pyje të shumta, sidomos të dushkut dhe ahut. Në këtë zonë gjejnë strehë kafshë të egra si ariu i murrmë, ujku, dhitë e egra, dhelpra, lepuri i egër, derri i egër, lakuriqet e natës, skifteri etj. Zona karakterizohet nga reshje të konsiderueshme dëbore gjatë stinës së ftohtë.
Biza ka shërbyer edhe për shfrytëzimin e lëndës së drurit. Gjithsesi ajo ofron kushte mjaft të favorshme natyrore edhe për organizimin e aktiviteteve turistike ku mund të përmendim turizmin me çadra gjatë stinës së ngrohtë, skitë në pistat natyrore, speleologjine në shpellën e Valit etj. Zona e Bizës përbën një park natyror, e cila ka statusin e zonës së mbrojtur me një sipërfaqe prej 1.370 hektarë.
© Copyright 2018 | Explorer Travel Tours