“Shkoj në mal më shumë nga frika për të jetuar se sa nga frika për të vdekur”.
(Ada Gobetti) –
Sabina Veizaj
Tani që shoh Dajtin prej tëposhtë në Tiranë nuk e kam të ruajtur ndërgjegjësisht faktin që disa ditë më parë ngjita atë madhështi.
(Kur sheh Tiranën nga Dajti, të duket aq e vogël, aq e pistë dhe pa dëshirë për t’ju kthyer! Kështu mund të niseësh e të bëhesh njeri malesh)…
Përvec ndjesisë së brendshme dhe eskperiencës së jetës, kam lexuar që të udhëtosh është të bëhesh e pasur, mjafton të hedhësh hapin e parë nga dera e shtëpisë, pastaj këmbët e tua shpjeri ku të duash.
Si premisë për udhëtimin e parë në mal, duhet ta pëlqesh atë dhe klimën e tij. Kur e ngjit në moshë madhore, duhet të jetë një moment rrëmbimi, i pamenduar, të mos filozofosh mbi lodhjen, frikën, orët e gjata, terrenin e vështirë, lartësinë, etj. Kështu ishte për mua. Vendosa t’i bashkohesha grupit e papërgatitur fare. Por për një fillestar është ok.
Cfarë paisjesh duhen për një udhëtim në mal?!
*Udhëtimi zgjat gati 11 orë, në këtë mënyrë nisja bëhet herët.
Ne ishim një grup prej shtatë vetësh. Pimë kafenë e mëngjësit tek një lokal pranë “Thesarit” në Linzë dhe nisëm ngjitjen afërsisht 300 m mbi nivelin e detit rreth orës 7:40 AM.
Metrat e parë të rrugës ishin me kum (rërë). Aroma e barishteve, shkurreve të dërgonte gjetkë, në një vend me lum. Vije re shtëpi të vjetra me qerpic. Porta të mëdha mbi të cilat binin hardhitë e rrushit dhe shegët.
Më lart shtëpitë rralloheshin. Cdo shtëpi kishte qenë dhe të lehurat e tyre na shoqëruan gjatë gjithë rrugës.
Rrugëtimit për Shërmin kaluam në shtigje të cilat ishin të shenjuara me ngjyrë të kuqe nga të apasionuarit e alpinizmit. Terreni vende vende ishte i lehtë, vende vende i vështirë.
Sa më shumë ngjiteshim mushkëritë hapeshin nga ajri i pastër dhe i freskët, megjithëse temepratuart e fillimshtatorit nuk i ngjanin temperaturave të një vjeshteje zyrtare. Manaferrat kishin celur, po ashtu edhe fiqtë. Gju më gju me natyrën, me frutet e saj dhe bisedat e miqëve të udhëtimit, Dajti bëhej më i afërt.
Ne pushuam edhe tek Poligoni Alpin. U ngjitëm për në Fushën e Dajtit dhe Qafën e Qershisë. Lodhja nisi të ngrerë kryet, por kthim mbrapa s’mund të kishte. Disa ndalesa të vogla dhe Tirana dukej si në pëllëmbë të dorës.
Edhe 50 m dhe u duk qartë Maja e Tujanit 1531 m. Ngjitja u krye.
U ndjeva sa një mal!!!!
Dhe m’u kujtua aforizmi i britanikut Sir Edmund Hillary: kur ngjitesh në mal, nuk është qëllimi për të pushtuar atë, por vetveten…
PS: Përgatituni për zbritjen, ajo është më e vështira. Javën e parë do t’ju dhembin pak muskujt, por do të mbetet për gjatë deri në ngjitjen e radhës madhështia e natyrës së malit.
© Copyright 2018 | Explorer Travel Tours